Nga Shqipëria / E Mërkurë 18 Mars 2020, 20:08

Çfarë po ndodh brenda QSUT-së? Flet mjekja që merret me trajtimin e pacientëve

Mjekja infeksioniste, Entela Ramosaço, ka dhënë ditën e sotme një rrëfim ekskluziv në "Ora e Tiranës". Ajo është ndër të paktat mjeke që lejohen të futen në karantinën e ngritur në shërbimin infektiv në QSUT dhe ka treguar si është gjendja e të infektuarve, si po mjekohen, çfarë kërkesash kanë etj.

"Gjendja: Pacientët përveç sëmundjes, kanë dhe ankthet e tyre. Përpiqemi t'iu qëndrojmë afër. Kanë mungesën e tyre, të familjarëve sepse familjarët nuk lejohen dhe ne jemi kthyer në familjarë për pacientët tanë.

Si po trajtohen: Ne jemi duke ndjekur të gjitha protokollet që janë lançuar kudo në botë. Normalisht protokollet janë ende duke u përpunuar, por ne po zbatojmë ato protokolle që kanë dhënë rezultat edhe në botë. Shembuj të mirë janë shtete që e kanë përfunduar apo kanë krijuar eksperienca më të mëdha por dhe shtete që po punojnë shumë në lidhje me këtë. Mbase dhe mjekët në botë nuk kanë pasur shumë kohë për t'u fokusuar te publikimi i të dhënave të fundit sepse janë duke u marrë me pacientët por ka protokolle të mjaftueshme të cilat ne i kemi marrë, përshtatur dhe zbatuar te pacientët tanë.

Ka psikologë që punojnë me pacientët dhe në momentin që ne e kemi pasur të nevojshme i kemi kontaktuar. E rëndësishme është që ne të evitojmë sa më shumë kontaket e shumë personave me këta pacientë. Realisht është gjithë stafi i infermierëve, sanitarëve dhe mjekëve, që po na gjendet shumë afër në këto momente. Normalisht është prania jonë tani që po përballon dhe menaxhimin psikologjik të pacientëve.

Kërkesat: Ne nuk e kemi ndërprerë pjesën që pacientët të komunikojnë me familjet e tyre, është shumë e rëndësishme që ata të informohen se çfarë ndodh me familjet e tyre, që të informohen me nevojat dhe kërkesat që ata kanë. Jemi përpjekur që një pjesë të madhe të kërkesave të tyre ta mbulojmë ne, siç janë veshjet, ushqimi, uji. Telefonat i kanë për të komunikuar me familjet e tyre", është shprehur mes të tjerash Ramosaços.