Ministrja Besa Shahini përmes videove të publikuara në rrjete sociale ka komunikuar me nxënësit dhe prindërit e tyre, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme rreth proçesit mësimor.
Në një video të publikuar së fundmi Shahini ka bërë me dije se nëse ndodh që mësimi të shtyhet përtej datës 23 Mars, atëherë do vazhdojë të zhvillohet virtualish, siç është zhvilluar dhe këto ditë. Po ashtu dhe vlerësimet për nxënësit do të jepen në rrjete sociale.
"Ne po mendojmë dhe vlerësojmë se është e nevojshme që kur të kthehemi në shkolla, të bëjmë një përsëritje të shpejtë, por ngaqë një pjesë të madhe e mësuesve dhe nxënësve kanë rënë tashmë në kontakt dhe kanë vijuar procesin normal të mësimit, por në një format tjetër, nuk do të jetë e nevojshme që të përsërisim gjithçka me tempon e zakonshme të përsëritjes”, shprehet ajo dhe nënvizon se MASR është duke përgatitur një udhëzim në lidhje me vlerësimin në qoftë se jemi të detyruar ta shtyjmë mësimin nga shtëpia përtej datës 23 mars.
Një vendim që nuk është marrë ende, por nëse merret, ne do të jemi të gatshëm që mësuesit t’i orientojmë drejt një vlerësimi që mund të bëhet përmes rrjeteve sociale, i cili do t’i mundësojë mësuesve të vlerësojnë nxënësit e njohuritë e tyre që kanë arritur deri në këtë pikë dhe të mund të vijojnë pastaj mësimin e zakonshëm pas kthimit në shkollë. Por, kjo është diçka që do t’ju informojmë më shumë ditët në vijim kur të marrim vesh nëse do ta kemi të nevojshme ta shtyjmë procesin e mësimit nga shtëpia përtej datës 23 mars”, tha ministrja Shahini.
