Nga Shqipëria / E Mërkurë 18 Mars 2020, 15:03

Boll më! Nga nesër ndalohet dalja me persona të tjerë, vendosen orare të reja

Kryeministri Rama ka vendosur të përshkallëzojë masat, duke qenë se shumë qytetarë nuk po i zbatojnë rregullat dhe nuk e kanë marrë seriozisht karantinimin. Përmes një postimi në Facebook, Rama njofton se nga nesër dalja e këmbësorëve do të kufizohet vetëm në fashat orare 06.00 - 10.00 dhe 16.00 - 18.00.

Po ashtu do të ndalohet dalja në këmbë rrugëve me persona të tjerë në krah.

Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë 10.000 lekë dhe shkelësit nuk do të marrin asnjë ndihme shtetërore nga paketa financiare e solidaritetit.

Postimi i kryeministrit: "Mesa duket nuk po kuptohemi siç duhet me disa që s’duan ta marrin vesh se nuk është kohë shëtitjesh. Nga nesër dalja e këmbësorëve do të kufizohet vetëm në fashat orare 06.00 - 10.00 dhe 16.00 - 18.00. Nga nesër do të ndalohet dalja në këmbë rrugëve me persona të tjerë në krah! Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë 10.000 lekë dhe shkelësit nuk do të marrin asnjë ndihme shtetërore nga paketa financiare e solidaritetit në kushtet e kësaj lufte! Boll! Një pakicë e vogël fare individësh të papërgjegjshëm nuk mund të sabotojnë sakrificën e një populli të tërë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të njerëzve të tjerë! Ndjesë 1000 herë po kjo është luftë dhe s’ka asnjë rrugë tjetër! Frikë aspak, kujdes po! Me hir ose me pahir! Dielli aty do jetë prapë, ndërsa jetët e humbura nuk kthehen më!"