Nga Shqipëria / E Mërkurë 18 Mars 2020, 12:12

Intervista/ Flet gruaja që doli vullnetare për vaksinën kundër Koronavirusit

Studiuesit në "Institutin e Kërkimit Kaiser Permanente Washington" në Seattle kanë filluar provën e parë te njerëzit të një vaksine eksperimentale për Koronavirusin e ri. 45 vullnetarë kanë provuar këtë vaksinë dhe vullnetarja e parë ishte Jennifer Haller, një grua 43-vjeçare, nënë e dy fëmijëve. Ajo nuk është prekur nga virusi, por pranoi ta bëjë vaksinën për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit. 

Në një intervistë për "Refinery29", Jennifer tregon si e mori vendimin për ta bërë vaksinën dhe procesin që do të ndjekë gjatë këtyre ditëve.

Çfarë ju bëri të dilnit vullnetare?

"Rreth dy javë më parë ata bënë thirrje për vullnetarë dhe një mik i imi e postoi në Facebook. Unë doja të isha e dobishme dhe direkt plotësova anketën. Të nesërmen mora një telefonatë dhe pasi kalova të gjitha testet, shkova për të bërë një kontroll mjekësor, një analizë gjaku dhe tregova historinë time të shëndetit. Gjithçka shkoi mirë dhe mora një telefonatë për të bërë vaksinën e parë"

Sa raunde të vaksinës do të bëni?

"Do të bëj dy raunde. E para ishte dje. Për dy javë do të mbaj një ditar për çdo simptomë, sa do e kem temperaturën dhe gjithçka tjetër. Pas një jave do të kthehem për një analizë gjaku dhe pas dy javësh një analizë tjetër. Pas katër javësh do të bëj dozën e dytë të vaksinës. Përgjatë 14 ose 18 muajve të ardhshëm do të kem një vizitë të vogël për të bërë analizë gjaku. 

A po paguheni për këtë?

"Ata po ofrojnë para, por nëse do ta bëja për para, nuk mund të më paguanin sa duhet për këtë që po bëj"

A u befasuat që iu telefonuan ju për ta bërë vaksinën? 

"Po, u habita. Kisha përshtypjen se ishin regjistruar mijëra vullnetarë. Unë isha jashtë për darkë me një mik kur më telefonuan. Sapo kisha mbërritur, kur më telefonuan i pyeta nëse mund t'i telefonoja më vonë. Ndjeva një hezitim të vogël nga ana e tyre pasi më thanë se mund të mos më vinte rradha për të më telefonuar sërish. Kështu që vendosa në moment dhe jam shumë e lumtur që bëra"

A ishe e shqetësuar kur e bërë vaksinën? Çfarë thanë familja dhe miqtë e tu?

"Disa miq ishin padyshim të shqetësuar, por unë i sqarova se nuk do të prekem nga virusi nëse marr këtë vaksinë. Mendoj se kjo vaksinë është është e ngjashme me ato që kanë bërë për MERS dhe SARS. E mira që mund të vijë prej saj është shumë më e madhe se gjithçka që mund të më ndodhë mua. Unë jam një person pozitiv dhe nuk përqendrohem tek anët negative. Nuk u tremba."

Çfarë dini tjetër për vaksinën, rreziqet cilat janë?

"Rreziku i mundshëm është që vaksina të mos funksionojë. Unë nuk po e bëj me shpresën për të mbrojtur veten time. Tani për tani, shkencëtarët thjesht po përpiqen të kuptojnë se çfarë doze duhet të japin për të qenë efektive"

Si ndihesh tani?

"Ndihem mirë. Gjilpëra ishte pa dhimbje dhe çuditërisht krahu im nuk është shumë i lënduar. Sot mund ta ndiej vetëm pak. Por përveç kësaj ndihem mirë, shumë normal"./Xing.al