Në një video live pasditen e sotme, kryeministri Edi Rama, është shprehur se pavarësisht përballjes me Koronavirusin, nuk do të harrohen njerëzit që mbetën pa shtëpi nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ai ka bërë me dije se procesi i rindërtimit do të vazhdojë sapo virusi të zhduket nga Shqipëria.
"Ju lutem të mos harrojmë që nuk jemi të gjithë në shtëpi, disa nga ne, jo pak, janë në çadër apo në shtëpitë e botës me qeratë që ne, unë dhe ju, po iu paguajmë pasi ata e humbën shtëpinë. Kjo që na ka rënë është shumë herë më e tmerrshme se tërmeti që na ra në Nëntor, por atyre që iu ra çatia mbi kokë nuk mund dhe nuk duhet t'iu themi "na falni po ju do prisni tani se ne nuk e nisim dot rindërtimin e shtëpive tuaja se lekët që kishim për ju, na i mori Korona".
Korona, pa Korona ne do të nisim rindërtimin e shkollave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore sapo Korona të zhduket nga shtëpia jonë e përbashkët dhe të gjithë të dalim në punë për Shqipërinë.
Kisha një bisedë telefonike me presidenten e komisionit Evropian, e cila u shty për më vonë. Në bisedë do t'i kërkoj, se përtej kësaj situate financiarisht të jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian, fondet që BE-ja premtoi në konferencën e donatorëve nuk do të ndryshojnë destinacion, sepse plani ynë për rindërtimin, as nuk shtyhet, as nuk ndryshon. Madje sot kemi nxjerrë dhe thirrjen publike për tenderin zyrtar të shkollave, 7.9 miliardë lekë, për 59 shkolla të reja, 8 konvikte që do rindërtohen nga e para në Universitetin Bujqësor dhe 4 konvikte të reja në Qytet Studenti. Këto dhe 8.7 miliardë për shtëpitë, bëjnë plot 16.6 miliardë, të cilat kjo qeveri as nuk do t'i lëvizë nga destinacioni as nuk do t'i lërë pa paguar në kohë", është shprehur Rama.
