Nga Shqipëria / E Hënë 16 Mars 2020, 17:05

Shqiptari me djalin 4 muajsh të infektuar: Karantinimin duhet ta bëjnë të gjithë shqiptarët

Para disa ditësh u bë e ditur se një foshnjë shqiptare në Lombardi të Italisë është infektuar nga Koronavirusi. I ati, emigranti shqiptar Luan Sulejmani, në një lidhje me "ABC News", ka folur për situatën dhe panikun që ka shkaktuar Koronavirusi.

“Jetoj në të njëjtin kat me pacientin numër 1 me koronavirus. Në familje jemi katër persona.

Besoj se mund të jemi edhe vet të infektuar. Testin nuk e kemi bërë sepse bëhet vetëm në momentin që ke shenja. Doktori na tha që djali e ka virusin dhe logjikisht dikush nga ne ia ka transmetuar.

Djalit ia kemi bërë testin dhe ka dalë pozitiv, në fillim kishte temperaturë të lartë, 39.5 grad celsius dhe nuk po ulej, në këtë rast njoftova ambulacën dhe pas një tamponi doli pozitiv me koronavirus. Fatmirësisht është mirë. Ka mbi 8 dit që i kemi bërë testin djalit.

Djalin e kam në shtëpi, ka tre dit dhe temperatura është ulur”, u shpreh ai.

I pyetur nëse i biri është ende mbartës i Koronavirusit apo është shëruar, Sulejmani është shprehur: “Testi fëmijës do ti bëhet pas 20 ditësh, sipas mjekëve, për të parë nëse është negativ apo pozitiv.”

Po ashtu ai iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të karantinohen dhe ta marrin situatën seriozisht, sepse funksion.

“Në momentin e parë që e morëm vesh se ndodheshim në të njëjti pallatin me pacientin e parë, jeta jonë ndryshoi komplet, është një përjetim që nuk ka fjalë të shprehet. Nga shtëpia dal vetëm për arsye familjare. Ka 25 ditë që jemi në vetëkarantinim. Momentalisht është gjithçka e ndërprerë. Ne kemi bërë karantinën të parët dhe kjo ka funksionuar. Momentalisht ka zero pacient. Theksoj se karantinimi funksionon nuk është lojë duhet ta bëjnë të gjithë shqiptarët", tha Sulejmani.

Burimi: "abcnews.al"