Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 9. Sot janë regjistruar 4 raste të reja. Lajmin e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia. Në një postim në Facebook, Vitia tha se 3 nga këto raste lidhen me një paciente të diagnostikuar me koronavirus më 14 mars.
“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga kryeministri Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”, tha Vitia.

Pas rritjes së numrit të të prekurve, qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa shtesë që qytetarët ta kenë sa më të lehtë furnizimin me ushqim, energji elektrike dhe informim gjatë periudhës së vetëizolimit.
Për të lehtësuar transportin e mallrave që vijnë në Kosovë, Ministria e Brendshme duhet të nxjerrë udhëzues të qartë për mënyrën se si lejohen të hyjnë maunet që kanë shofer me shtetësi tjetër.
Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë në konsultim me bizneset i inventarizojnë të gjitha rezervat shtetërore të produkteve të rëndësisë strategjike dhe përgatitin një plan të këtyre rezervave shtetërore për tre muajt e ardhshëm dhe këtë plan ia propozojnë qeverisë për miratim, ku në mes tjerash specifikohen masat që duhen të ndërmerren dhe buxheti përkatës, përfshirë këtu edhe sasinë që mund të blihen nga ana e qytetarëve.
Ndërsa është shtyrë afati për bizneset që duhet të kryejnë obligimet në ATK dhe për qytetarët pagesat e rrymës, ujit dhe shërbimeve të tjera publike. Derisa BQK-së i është kërkuar të hartojë një plan që bankat të prolongojnë obligimet e kredive të klientëve të tyre.
Ministria e Ekonomisë gjithashtu do të mbikëqyrë KEK-un dhe KEDS-in për furnizim të rregullt me energji elektrike, ndërsa telefonitë celulare dhe ato të internetit duhet të sigurojnë funksionim të rregullt në mënyrë që qytetarët e izoluar nëpër shtëpitë e tyre të jenë të informuar në çdo kohë.
Burimi: tvklan
