Kryeministri Rama në një status në Facebook, i ka kthyer përgjigje komenteve të qytetarëve të cilët e pyesin për planin ekonomik të daljes nga kriza humanitare e shkaktuar si pasojë e koronavirusit. Rama shkruan se do të bëhet gjithçka e mundur në këtë aspekt dhe kërkon që të gjithë të bëjnë durim.
"Duke ndjekur komentet tuaja u them të gjithë atyre që pyesin për planin ekonomik të daljes nga kjo krizë humanitare që të bëjnë pak durim! Na duhen edhe disa ditë, ju lutem durim! Ju kujtoj tërmetin dhe ju përsëris: t’i bëjmë gjërat hap pas hapi që të mund të shkojmë në destinacion! Kini besim se çfarë është në mundësitë e kësaj toke, nuk do të mbetet pa u bërë!", shkruan kryeministri.
Ndërsa për gjobat e miratuara këtë të diel, Rama shkruan se ato janë për të gjithë ata persona që shkelin rregullat e vendosura me qëllim ndalimin e përhapjes së koronavirusit.
"Ndërsa kujt ankohet për gjobat e rënda të aktit normativ i them se gjobat nuk janë për popullin, po për shkelësit e rregullave të kësaj lufte dhe nuk janë për të mbledhur shteti para, po për të mbrojtur popullin nga shkeljet që në këtë situatë lufte kërcënojnë shëndetin e tij! Sa për një shembull: shkeljet sot kanë qenë afër zeros! Të vazhdojmë siç e kemi nisur, të bëjmë durim, të mos kërkojmë në një situatë lufte të zgjidhim brenda tre ditësh, të gjtha problemet e pasluftës! Frikë aspak, kujdes po!", përfundon postimi.
