Në Shqipëri janë shënuar 42 të prekur nga Koronavirusi dhe qeveria ka marrë dhe vazhdon të marrë masa të larta sigurie. Masa kryesore është karantinimi në shtëpi, i cili parandalon përhapjen e virusit.
Mirëpo qytetarët shprehin shqetësimin se si do ushqehen, kur kjo punë mund të zgjasi me muaj. Një ndër to i shkruan kryeministrit Edi Rama: "Dakort me karantinimin në shtëpi. Po me se do ushqehemi ne? Kjo punë mund të zgjasë me muaj? Si do ia bëjmë? Ka familje qê mezi shtyjnë një ditë me të ngrënë e jo më dy muaj të rrinë pa punë, mbyllur në shtëpi. Kësaj i thonë për shumë njerëz shpëto nga Korona e vdis për bukë".
Shqetësimit të tij si qytetar, i është përgjigjur kryeministri i cili shprehet se askush nuk do të vdesë për bukë dhe se situata do të zgjidhet hap pas hapi dhe me durim, duke premtuar kështu masa për familjet në nevojë nëse zgjat karantina.
"Askush nuk do të vdesë për bukë dhe gjithçka do të bëhet si duhet hap pas hapi, prandaj durim dhe sa më fort të mbrohemi sot aq më shumë jetë do kursejmë e aq më pak të rëndë do ta kemi këtë luftë, ku sidoqoftë do kemi plagë e viktima fatkeqësisht", shkruan Rama.


