Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije ditën e sotme se ka hyrë në fuqi akti normativ, për të vënë në dispozicion edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personelin përkatës shëndetësor e mbështetës.
Moszbatimi i urdhërit dënohet me gjobë në masën 5 milionë lekë. Në rast mosbindjeje pas vendosjes së gjobës, struktura përkatëse vendoset forcërisht në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor dhe personeli përkatës është i detyruar të shërbejë nën drejtimin shtetëror të strukturës gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit.
Po ashtu ky akt normativ parashikon gjoba deri në 5 milionë lekë për shitjen me shumicë dhe 100 mijë lekë për shitjen me pakicë në rast të rritjes abuzive të çmimeve të mallrave dhe produkteve ushqimore, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt të tregtuar muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të aktit normative për produktet sezonale. Në rast të ripërsëritjes me abuzimin e rritjes së çmimeve, subjektit i mbyllet veprimtaria për 6 muaj.

