Një ndër mjekët e Urgjencës së QSUT-së, Ilir Allkja, është shkarkuar nga puna. Para pak ditësh përmes një videoje live në llogarinë e Facebook-ut, ai lajmëroi se ishte vetëkarantinuar sepse kishte vizituar pa veshje speciale tre pacientë që më pas kishin rezultuar me Koronavirus.
Në videon e tij, ai deklaroi se Njësia e Koordinimit të Urgjencave i dërgonte mjekët pa veshje speciale në raste që i paraqisnin para tyre si neurologjike apo gastroenteologjike, por më pas konstatohej se ishin me koronavirus. Me pak fjalë ai denoncoi mungesën e veshjeve të posaçme për Koronavirusin.
Pas deklaratës së tij, vetë kryeministri Edi Rama publikoi një foto të Allkjas me veshje mbrojtëse, duke hedhur poshtë fjalët e tij. Mjeku reagoi duke u shprehur se ai nuk kishte denoncuar mungesen e veshjeve, por kishte shigjetuar faktin se mjekët i vishnin veç në rastet kur dihej se pacienti ishte me Koronavirus, ndërkohë që sipas tij duhen veshur në çdo kohë.
Allkja ka njoftuar për shkarkimin e tij nga puna përmes një statusi në llogarinë e Facebook-ut. "Miq sonte më është kërkuar të largohem nga puna pa motivacion!
Kerkova të ma jepnin me shkrim!
Hakmarrje e ulet e Edi Rames dhe e Skender Bratajt ne ditët kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për mjekë !
Sonte po qendroj në punë kundër urdhrit verbal, në shërbim të pacientëve! Ju dua shumë", shkruan ai.

