Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero në një intervistë për emisionin "Repolitix", është shprehur se nëse sot kemi 38 raste të prekur me Koroanavirus, “ajo që fshihet duhet të jetë 10 herë më e madhe”.
Pipero u shpreh se numri i rasteve me Koronavirus do fillojë të bie në rastin më të mirë në gjysmën e parë të majit. Mjeku bëri thirrje se nëse qëndrojmë në shtëpi, do e kalojmë më shpejt situatën.
"Nëse i referohemi një studimi që ime bijë ma dërgoi nga Italia dje dhe që po merret në konsideratë, ne ende shohim vetëm majën e ajsbergut. Studimi që kam në duar dhe kolegët dëshmon që praktikisht, ne njohim vetëm rastet që kanë pasur shenja.
Në rast se Kina në 21 Janar kishte 100 raste të verifikuara në realitet ka pasur 1500. Në këtë aspekt parashikimet për këtë epidemi nuk janë optimiste prandaj është shumë e rëndësishme që ta kufizojmë dhe ta zgjasim në kohë, të ulim numrat e rasteve të reja për njësi kohe dhe e vetmja mënyrë është që të shmangim kontaktet, nuk ka masë tjetër më efektive.
Nëse kemi 33 raste deri tani së paku, por ajo që fshihet duhet të jetë 10 herë më e madhe, këtë e them për të shtuar kujdesin në radhë të parë nga pensionistët, duhet të dalin sa më pak nga shtëpia, po ashtu edhe të rinjtë, që mund ta transmetojnë tek të tjerët.
Askush nuk ka imunitet, pavarësisht se të fëmijët, gratë dhe të rinjtë sëmundja kalon pa shenja klinike, komplikacione, që janë më shumë te moshat e vjetra dhe të sëmurët klinikë. Me rritjen e temperaturave duhet të ulet transmetimi, presim që të bjerë edhe numri i rasteve, por disa studime të fundit dëshmojnë që këtë radhë virusi nuk i është bindur, prandaj duhet të përgatitemi për një periudhë relativisht të gjatë për t’u përballuar.
Unë besoj se do të jetë përtej prillit, në rastin më të mirë gjysma e parë e majit do të fillojë të bjerë numri i rasteve. Nëse qytetarët do i binden këtij urdhri dhe do të rrinë më shumë në shtëpi, ndoshta nuk do të shkojmë te skenari kinez apo italian, që qytetarëve nuk u lejohet të dalin nga shtëpia. Me kusht që qytetarët të dëgjojnë urdhrin e kryeministrit dhe këshillat tona. Nuk kemi asnjë mënyrë tjetër për ta kufizuar vetëm duke dëgjuar këshillat, të harrojmë lokalet e natës, parqet. Pensionistët nuk duhet të dalin. Ndaj besoj që masa e marrë nga qeveria është drastike por jo ekstreme".
