Nga Shqipëria / E Shtunë 14 Mars 2020, 15:03

A do të shtyhen provimet e maturës? Flet ministrja Shahini

Përmes video-mesazheve në rrjete sociale, ministrja e arsimit Besa Shahini, iu ka dhënë përgjigje pyetjeve të nxënësve dhe prindërve të tyre. Shumë maturantë janë shqetësuar për shkak të humbjes së proçesit mësimor dhe kanë pyetur nëse do të shtyhen provimet e maturës.

Shahini shprehet se për momentin, provimet nuk kanë arsye pse të shtyhen dhe brenda këtyre dy javëve nxënësit mund të përsërisin të gjitha leksionet dhe mund të mësojnë.

“Për momentin, nuk kemi asnjë arsye të mendojmë pse duhet të shtyhet. Unë besoj fuqishëm që këto 2 javë, përderisa jemi detyruar të qëndrojmë në shtëpi, është një periudhë shumë e mirë për të përsëritur të gjitha leksionet dhe për të mësuar në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për testin e maturës. Në mënyrë që t’ju vijmë në ndihmë, kemi kërkuar nga RTSH që të na japë edhe një orar shtesë vetëm për maturantët. Dhe ky orar është ora 13:30-14:30, ku do të transmetojmë leksione të klasës së 12-të të matematikës, biologjisë dhe kimisë, në mënyrë që maturantët të kenë mundësi të thellojnë më tutje aftësitë e tyre në këto 3 lëndë, të cilat konsiderohen edhe si më të vështirat nga vetë ata. Mos harroni, nga ora 13:30-14:30, nga e hëna deri të premten, është edhe një orar shtesë për të gjithë maturantët në mënyrë që të arrijnë të përsërisin disa nga leksionet e klasës së 12-të”, shprehet Shahini. /abc.news