Nga Shqipëria / E Shtunë 14 Mars 2020, 14:02

Masat për Koronavirusin/ Ndalohet frekuentimi i liqenit dhe i parqeve reakreative

Qeveria ka marrë masa të larta dhe të menjëhershme sigurie për të parandaluar përhapjen e Koronavirusit në vendin tonë. Masat sa vijnë dhe shtohen në të mirë të shoqërisë.

Duke qenë se pavarësisht masave shumë njerëz mblidhen së bashku në mjedise të hapura, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se do të ndalohet frekuentimi i Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës si dhe në parqet rekreative.

"Jemi me fat që kemi këtë kohë të mirë dhe të ngrohtë, mund t'i mbajmë dritaret hapur gjatë gjithë ditës për ajrosjen e shtëpisë dhe të fikim ajrin e kondicionuar që është një armik në këtë luftë. Por kjo nuk do të thotë të dalim xhiro familjarisht siç ka ndodhur dje dhe sot në Liqenin e Tiranës ku vërtetë nuk kishim shumë njerëz si zakonisht në një mot të tillë, por mjaftueshëm për të cënuar rregullat e mbrojtjes individuale. Apo buzë liqenit të Shkodrës ku mbrëmë ishte sikur jemi në një kohë pushimesh dhe jo në kohë lufte. Nuk kemi kohë për të vazhduar me sensibilizimet sepse çdo orë është kritike për forcimin e vijave të mbrojtjes individuale dhe kolektive. Prandaj do të ndalojmë menjëherë frekuentimet në zonën e parkut të liqenit në Tiranë dhe në të gjitha zonat rekreative në cdo qytet brenda perimetrit të ri të blinduar", tha Rama në një videomesazh.