Nga Shqipëria / E Shtunë 14 Mars 2020, 12:12

Rama: 3 vjet heqje patente për këdo që qarkullon pa autorizim me makinë

Në Shqipëri janë marrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e gjerë të Koronavirusit. Një ndër masat është ndalimi i qarkullimit të automjeteve. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar qytetarët të cilët nuk do respektojnë vendimin e qeverisë.

Në një postim të bërë në rrjete sociale, Rama shkruan se kush qarkullon me makinë dhe nuk ka autorizim, do t'i hiqet patenta për 3 vite dhe do t'i sekuestrohet automjeti.

“Lëvizjet e paautorizuara me automjet të kujtdo që nuk ka një arsye pune, sipas kategorive të funksioneve shtetërore apo shërbimeve private të autorizuara, do të dënohen me heqje të patentës 3 vjet dhe sekuestrim të automjetit”, ka njoftuar Rama.

Kujtojmë se kryeministri ka njoftuar dhe se lokalet, restorantet, fast food-et do të mbyllen në mbarë vendin deri me datë 3 Prill.