Koronavirusi po mban në alarm vendin tonë, teksa deri më sot janë shkaktuar 33 të prekur dhe 1 viktimë. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, në një intervistë për "Euronews Albanial, u shpreh se pandemia i ngjan ajsbergut, ku ne jemi në gjendje të dallojmë vetëm majën.
Po ashtu ai u shpreh se në rastin më të mirë kjo epidemi mbyllet në 4 muaj. “Kjo pandemi i ngjan një ajsbergu, ne ende shohim vetëm majën. Studimet tregojnë se nëse kemi një rast në dorë, janë dhe 10 raste të tjera të pazbuluara. Përgjithësisht njohim vetë ata që kanë ankesa dhe shfaqin simptoma, kurse numri real 10-15 herë më shumë se sa numri i të konfirmuarve. Në rastin më të mirë kjo epidemi mbyllet në 4 muaj dhe askush nuk duhet të nxitojë të thotë do mbyllet për kaq apo për aq kohë”, u shpreh mjeku.
Pipero theksoi se përhapja e Koronavirusit fillon ngadalë por më pas vjen një shpërthim i menjëhershëm. “Studimi që më erdhi nga Italia, tregon se kjo epidemi ka fillimisht një kurbë të ngadaltë dhe duket se ka një ritëm të ngadaltë por më pas ka një shpërthim të menjëhershëm në 2-3 javë. Rastet në Francë kanë qenë dikut tek 1400 të konfirmuara, por sipas këtij studimi numri real i të infektuarve varion nga 24 mijë deri në 140 mijë”, tha ai.
