Drejtoresha e Spitalit Rajonal Berat, Edlira Shkëmbi ka bërë të ditur se stafi mjekësor i këtij spitali është vetëkarantinuar mesditën e sotme, pasi një paciente ka gënjyer.
Një mjeke, një infermier dhe shoferi i ambulancës kanë shkuar rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm në një banesë në lagjen “Çlirim” ku janë njoftuar për një paciente asmatike në gjendje të rëndë.
Pacientja 50-vjeçare i ka referuar stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat se kishte prej disa ditësh kollë dhe dhimbje fyti, por i ka gënjyer ata për ardhjen e saj nga Italia 1 javë më parë. Kur stafi mjekësor e ka pyetur nëse ka udhëtuar jashtë shtetit së afërmi ose nëse ka pasur kontakte me persona që kanë jetuar në Itali, pacientja u është përgjigjur “Jo”.
Pasi kanë dalë jashtë banesës, stafi mjekësor ka mësuar nga fqinjët se pacientja kishte ardhur nga Italia një javë më parë. Pas kësaj është njoftuar menjëherë 127 dhe epidemiologu për marrjen e mostrës së pacientes dhe gjithashtu janë marrë edhe mostrat e stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Berat, që ishin në kontakt me pacienten,të cilët janë vetëizoluar deri në ardhjen e përgjigjes së analizave të tamponëve.
Burimi: Top Channel
