Një foshnjë shqiptare në Lombardi të Italisë është infektuar nga Koronavirusi. I ati, emigranti shqiptar Luan Sulejmani, ka rrëfyer për "Shekulli"-n, se si e kanë mësuar që foshnja 5 muajshe ishte e infektuar.
“Djali kishte temperaturë gjatë natës. I dhamë tre herë Paracetamol. Temperatura i ngrihej dhe i ulej. Nga dreka e dërgova në urgjencë. Infermierët që erdhën për ta marrë, nuk dyshonin se mund të ishte i infektuar nga koronaviursi. Më pas më thanë që nuk mund të jetë kjo, pasi nuk i kishte shenjat e virusit”, ka treguar ai.
Më pas Sulejmani ka rrëfyer se mjekët fillimisht kishin zbuluar për një infeksion në urinë por meqe gjendja e tij nuk po stabilizohej mjekët e kishin testuar për Koronavirus dhe ka rezultuar pozitiv: "Më thanë që nuk mund të ketë virus, pasi nuk ka shenja të tij. Dyshonin për infeksion në urinë. Nuk më besohej atë ditë, kishte vetëm temperaturë. I bënë tamponin dhe doli pozitiv. Ne kishim lexuar dhe dëgjuar që fëmijët nuk i prek, por ja që e kishim ditur gabim deri në atë moment.”
