Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se ka shkuar në 33 numri i të prekurve nga Koronavirusi në vendin tonë. Deri më tani është shënuar një viktimë, 73 vjeçarja nga Durrësi e cila kishte ardhur nga Italia. Ajo nuk iu kishte treguar mjekëve që kishte histori udhëtimi në Itali dhe ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se një ndër mjekët e stafit mjekësor, ka rezultuar pozitiv.
"Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.
Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit”, ka njoftuar zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
