Shqipëria ka marrë masa të larta sigurie për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit. Një ndër këto masa është ndalimi i qarkullimit të automjeteve. Si Policia e Shtetit ashtu dhe ajo Ushtarake do jenë në patrullim.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në llogarinë e tij të Facebook-ut një video të postblloqeve të Policisë, dhe krahas videos shkruan se efektivët, për sigurinë e shoqërisë, nuk mund të jenë në shtëpi me familjarët e tyre. Prandaj ai iu bën thirrje të gjithëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe t'iu lehtësojnë punën.
"Plicia e Shtetit do të vijojë të jetë në rrugë papushim, për të siguruar për tre ditë e dy netë rresht, regjimin e mosqarkullimit së bashku me Policinë Ushtarake.
Prindër fëmijësh apo bij e bija prindërish të moshuar, ata nuk do të mund të jenë në shtëpi me fëmijët e me prindërit e tyre, sepse përveç vetes e familjes, ata duhet të na mbrojnë të gjithëve ne, duke qëndruar me orë të tëra në këmbë nëpër postblloqe prandaj të dashur miq, le t’i ndihmojmë edhe ata, përveç vetes e familjes sonë, duke qëndruar në shtëpi me fëmijët e me të moshuarit dhe duke u kushtuar të vegjëlve e të moshuarve, kohën që u kemi aq shumë borxh prej pamundësisë sonë të përditshme”, shprehet Rama.
