Nga Shqipëria / E Premte 13 Mars 2020, 10:10

Flet mjeku infeksionist: Po bëjmë të njëjtin gabim të rëndë si Italia

Si masë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e Koronavirusit, qeveria ndaloi qarkullimin e mjeteve në Tiranë dhe Durrës. Pas këtij vendimi, mjeku Pëllumb Pipero në emisionin "Opinion" është shprehur se largimi i qytetarëve nga Tirana është një vendim i gabuar dhe shumë i rëndë. Ai e ka krahasuar me sjelljen e italianëve, në kohën kur nisi të shfaqet Koronavirusi. Mjeku u shpreh se në fazat e para të epidemisë, shumë italianë nga veriu lëvizën në jug dhe përhapën koronavirusin atje.

“Duhet të ketë masa edhe më drastike. Për arsye se kur po vija këtu mora vesh që sot duke pasur frikë që nesër nuk mund të lëvizësh më me qindra ndoshta automjete apo shqiptarë kanë udhëtuar nga Tirana në drejtim të Korçës, nga Tirana në drejtim të Shkodrës, në drejtim të Lezhës për të bërë fundjavën. Besoj që kanë bërë apo po bëjnë një gabim shumë të rëndë dhe është gabimi të cilin bëri Italia në fazat e para të kësaj epidemie duke lejuar veriun të ikte në jug dhe u shpërnda në gjithë Italinë. Përmes jush bëj një thirrje tjetër, mirë që vajtën, por të bëhet një urdhër i prerë që nesër të mos hapet asnjë lokal, asnjë restorant, asnjë dyqan. Kanë bërë gabim, është gabim shumë i rëndë që bëhet në këtë situatë. Është gabim shumë i rëndë”, tha mjeku.