Nga Shqipëria / E Enjte 12 Mars 2020, 22:10

Nuk takon dot të ëmën infermiere, letra prekëse e vogëlushes: Kur të mbarojë koronavirusi...

Letra e një vajze 11-vjeçare për nënën e saj, që punon si infermiere në spitalin e Senigallia në Ancona, po bën sot xhiron e rrjetit. Vogëlushja shkruan se e sheh shumë pak të ëmën këto kohë. Dhe kur ajo kthehet, vogëlushja nuk mund ta përqafojë.

Viveresenigallia.it raporton se infermierja e gjeti letrën një natë kur u kthye në shtëpi.

Letra e vogëlushes: “E dashur mami, më mungon shumë, më mungojnë prekjet e tua, puthjet e tua, madje dua çdo gjë tënden që nuk e kam dot tani që të kam larg. Më mungojnë përkëdheljet e tua. Më mungon të të rri afër dhe të ndjehem e mbrojtur, të fle duke menduar se ti je afër meje. Mos kujto se ndjehem më mirë se Ema, të paktën nëna e saj nuk punon natën. Natën ndjehem shumë larg teje, sepse kur zgjohem në mëngjes nuk mund të të mbush me puthje, por vetëm të të rri larg. Edhe ato netë që je në shtepi, nuk mund të të afrohem, duhet të qëndroj në dhoma të tjera, tamam sikur ti të mos ishe aty. Për shkak të koronavirusit bota po vuan. Por pavarësisht kësaj që po ndodh ti je një luftëtare, je e fortë, je kurajoze! Kur të mbarojë gjithçka do të të mbuloj me puthje. Të dua shumë. Mbaje mend, nuk ka ardhur për fajin tënd kjo situatë, ti je një heroinë”.