Nga Shqipëria / E Enjte 12 Mars 2020, 14:02

Presidenti Meta kryen testin e koronavirusit

Presidenti Ilir Meta ka kryer sot testin e dyfishtë të koronavirusit dhe ka rezultuar negativ. Presidenti e kreu testin për të hequr çdo dyshim se nuk është i infektuar nga COVID-19, duke qenë se dhuroi sot gjak për talasemikët.

"Të jeni të sigurtë se vij këtu pasi kam bërë një test të dyfishtë. Nuk kam kontaktuar askënd. Kam bërë gjithçka për të ruajtur distancat e domosdoshme. Ju kam tërhequr edhe ju vëmendjen që të mos rrini kaq pranë njëri-tjetrit, dhe ju përgëzoj që përdorni maskat!", i tha Meta gazetarëve.

Meta u shpreh se duhet gjetur edhe një numër tjetër i gjelbër përveç 127-ës. "Duhet parë mundësia edhe për ndonjë numër tjetër për të përballuar fluksin, kërkesat apo sqarimet, që kanë qytetarët. Të gjithë po bëjnë përpjekjet më të mira dhe vetëm të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë situatë me sa më shumë kujdes, por e theksoj, edhe pa panik", tha presidenti.

Burimi: Shqiptarja.com