Nga Shqipëria / E Enjte 12 Mars 2020, 09:09

Rrinin në kafe e rrugë, policia kap 100 persona që hynë nga Italia dhe s'u vetëizoluan

Janë identifikuar nga kontrollet e policisë më shumë se 100 persona që janë kthyer nga Italia në vendin tonë në harkun kohor të 2 javëve. Këtë e bëri të ditur drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj i cili i ftuar në "Opinion" konfirmoi se këta qytetarë janë evidentuar nga kontrollet në terren të policisë që prej orës 17:00 të së mërkurës.

“Deri në këto momente, nga ora 17:00 dhe deri tani janë identifikuar mjaft persona që kanë ardhur nga Italia në periudhën 2-javore. Në Durrës, në Tiranë, në Fier, në Shkodër janë identifikuar persona nga këto kontrolle. Dhe është një numër që i kalon 100 persona. Durrësi, Tirana, Fieri, Shkodra dhe po t’i mbledhësh të gjitha janë 100 persona që kanë hyrë 2 javët e fundit nga Italia”, deklaroi Albert Dervishaj.

Forcat policore, së bashku me ato të ushtrisë, kanë dalë me kontrolle nëpër rrugë për të bërë të mundur reduktimin e lëvizjes së qytetarëve.