Nga Shqipëria / E Mërkurë 11 Mars 2020, 18:06

Çfarë ndodhi në dhomën nr 3: Flet burri që ndenji në një dhomë me durrsaken e infektuar

Ditën e sotme në spitalin e Durrësit ndërroi jetë nga Koronavirusi 73 vjeçarja me iniciale Xh.G. Ajo u përball me komplikacione të rënda dhe kështu shënoi viktimën e parë nga Koronavirusi në Shqipëri.

Së fundmi në një lidhje telefonike për Report TV ka folur djali i njërit prej zonjave që ndodhej e shtruar në të njëjtën dhomë me 73 vjeçaren. Djali, i quajtur Shkëlqim Buziu, ka treguar se në dhomën e spitalit (numri 3) kanë qenë për 4 ditë dhe dy paciente të tjera: nëna e tij 84 vjeçare dhe një grua tjetër e sëmurë.

Ai ka konfirmuar se 73 vjeçarja nuk kishte treguar se kishte qenë Itali dhe se në dhomën ku ndodhej e infektuara kishin ardhur shumë njerëz për të parë të afërmit e tyre. Vetë ai ka qëndruar 4 ditë në atë dhomë me nënën e tij. Buziu ka treguar se ai dhe familja e tij janë vetëkarantinuar në banesë dhe nënës së tij i është marrë mostra për t'i bërë analizën e Koronavirusit.

Për më tepër Buziu ka rrëfyer se ai dhe vajza e pacientes kanë dyshuar për 73 vjeçaren sepse ajo nuk mund të qëndronte në asnjë moment pa maskë oskigjeni.

Gruaja fillimisht kishte shkuar në Tiranë, më pas në spitalin "Shefqet Ndroqi" dhe më tej në Itali ku ka qëndruar një javë. Atje i kanë thënë të priste 10 ditë për analizat por Italia u prek nga Koronavirusi dhe për këtë arsye 73 vjeçarja u kthye në Shqipëri.

"Ka pasur plot hyrje e dalje të familjarëve. Hynin e dilnin njerëzit, se shqiptari i shkretë shkojnë një në spital, e shkojnë të gjithë. Kontakte fizike ka pasur. Nuk kemi përdorur maska. Ka qenë moskompetenca e këtyre, gabimi fatal i mjekësisë. Kam qëndruar 4 ditë në dhomë me pacienten e sëmurë, bashkë me nënën time. I kërkova ISHP-së, erdhën kanë marrë vetëm analizat e mamit tim. I thash po ne të tjerët që kemi qenë atje. Unë po pres analizat e mamit se është moshë e vjetër, kollën e ka të vazhdueshme, temperaturë nuk kemi asnjëri shyqyr. Unë kam dhe gocën këtu që ka dy fëmijë të vegjël, 6 muajsh dhe 4 vjeç, dhe nuk vjen njeri të interesohet. Edhe kam lëvizur se njerëz jemi, kam shkuar tek puna, kam ardhur në shtëpi. Punoj në kompani private. Me sa kam mundësi çdo gjë steril fare, dhe shtëpinë time duke e larë me açe, dyshemetë, oborrin, çfarë të bëjmë ne. Nuk mund të them gjë pa marrë një analizë. Ne ndenjëm 4 ditë, këta po e bëjnë tragjedi për atë që e mohoi e fshehu dhe ndenji mes nesh. Jo të vinte mes njerëzish, se atje kishte të rinj, pleq, çfarë nuk kanë hyrë e nuk kanë dalë tek ata njerëz. Pa pikë turpi thonë që dhoma ka qenë vetëm. Ne kemi kaluar 3-4 ditë aty. Turp i madh është. Është frika, se e mora pa dashje, nuk e mora se erdha nga Italia dhe nuk i tregova dikujt. Unë po rri këtu se me vjen keq pse ta marrin të tjerët përmes meje", ka treguar Buziu.