Nga Shqipëria / E Mërkurë 11 Mars 2020, 12:12

Shkon në 12 numri i të prekurve me Koronavirus në Shqipëri, zv.ministrja jep detajet

Ka shkuar në 12 numri i të prekurve me koronavirus në vendin tonë. Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në një deklaratë për mediat tha se një nga dy të prekurit është i afërt me pacientin zero, ndërsa tjetri është identifikuar në Lushnjë. Të dyja rastet janë në vëtëizolim dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në 24 orët e fundit janë kryer edhe 43 testime të reja, nga të cilat kanë rezultuar dy raste pozitive me COVID-19. Njëri prej tyre është i lidhur me pacientin zero, ndërsa tjetri është një i moshuar në Lushnje, 78-vjeçar, me një histori udhëtimi në Bergamo të Italisë. Ai ka udhëtuar atje në mesin e  epidemisë dhe është kthyer në Shqipëri. Të dyja rastet janë në vetëizolim dhe janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore”.

Në total deri më tani janë testuar 157 persona dhe vetëm 12 prej tyre janë identifikuar të prekur me koronavirus. Nga këta, 9 kanë lidhje kontakti me pacientin zero, pra 28-vjeçarin i cili ishte i pari i identifikuar me Covid-19, bëri të ditur Rakacolli.

Zv.ministrja theksoi se institucionet dhe qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri masat e bëra publike.

Burimi tvklan.al