Nga Shqipëria / E Martë 10 Mars 2020, 21:09

A mund të zhduket vërtet koronavirusi nëse rrimë në shtëpi?

Studiuesit e shkencëtarët prej kohësh po punojnë për zbulimin e një vaksine që do të mbronte nga Koronavirusi dhe deri tani janë në fazat eksperimentale. Ndërkohë qeveritë e vendeve të prekura po bëjnë vazhdimisht thirrje që njerëzit të evitojnë daljet e të qëndrojnë në shtëpi. Shkollat, universitetet, administratat e shumë biznese janë mbyllur.

Në vitin 2003 një tjetër koronavirus me emrin SARS pushtoi botën dhe arriti të zhdukej në pak kohë. Por çfarë mund të mësojmë nga ky rast?  Në rastin e virusit SARS, autoritetet shëndetësore të gjithë u përpoqën për të identifikuar rastet sa më shpejt të jetë e mundur dhe vendosën personat e infektuar në izolim. E gjitha ndodhi shpejt. SARS u raportua në shkurt 2003 dhe deri në mars, qindra njerëz u vetëizoluan në shtëpitë e tyre. 

"Varet nga fakti sa shpejt zbulohen rastet, kujdesi ndaj tyre, vendosja e tyre në izolim dhe sa higjenik janë njerëzit që janë të infektuar", është shprehur Nathan Grubaugh, një epidemiolog në "Yale Shkolla e Shëndetit Publik" në Konektikat. 

"Vox.com" e krahason virusin me një 'zjarr': Virusi është 'zjarr'. Një zjarr shuhet vetë nëse mbarojnë drutë. E njëjta gjë ndodh edhe me virusin. Ai do të përfundojë kur të ndalojë gjetjen e njerëzve për t'i infektuar.

Por a është e mundur që të funksionojë kjo metodë edhe për Covid-19?

John Nicholls, profesor klinik i patologjisë në Universitetin e Hong Kongut tha se SARS u zhduk në korrik 2003 nga praktika e mirë e higjenës, siç është larja e shpeshtë e duarve dhe faktorët mjedisorë si temperatura e lartë dhe lagështia në muajt e verës.
"Kjo do të jetë e njëjtë për Covid 19" tha profesori. "Ndjej se kjo do të jetë si SARS dhe bota do të ketë një grip të keq për rreth pesë muaj".