Presidenti kinez Xi Jinping ka vizituar sot Vuhanin për herë të parë që prej muajit janar, duke treguar se vendi tashmë beson se ka vënë epideminë nën kontroll. Koha e vizitës së presidentit tregon se Kina është pranë shpalljes së fitores ndaj krizës shëndetësore.
Presidenti vizitoi sot spitalin dhe një komunitet lokal me rezidentët nën karantinë.

Autoritetet në Vuhan kanë mbyllur 14 spitale të përkohshme të quajtura ‘fang cang’ të konvertuara nga salla sportesh e ekspozitash, të cilat trajtuan rreth 12,000 pacientë.

Zhvillimi vjen gjithashtu pas karantinës së paprecedentë të 11 milionë njerëzve në provincën qendrore të Hubei çka duket se ka dhënë rezultat me një rënie të ndjeshme të infeksioneve të reja javët e fundit.
Burimi: top-channel.tv
