Nga Shqipëria / E Martë 10 Mars 2020, 13:01

I dyshuar për Koronavirus, flet e ëma e 40 vjeçarit nga Bulqiza

Ditën e sotme një 40 vjeçar nga Bulqiza ka mbërritur me urgjencë te Spitali i Infektivit. Ai ishte kthyer nga Italia 5-6 ditë më parë dhe prej ditësh ka shfaqur simptoma si temperaturë, kollitje, probleme me frymëmarjen dhe djersitje.

Nëna e 40 vjeçarit ka dhënë një deklaratë për gazetarët jashtë ambienteve të Urgjencës te Spitali i Infektivit. E ëma ka treguar se i biri ndodhet brenda zonës së karantinës dhe përgjigjet e analizave ende nuk kanë dalë.

"E çuam tek spitali në Bulqizë, pastaj erdhëm direkt për në Tiranë. Nga sanatoriumi na sollën këtu (tek infektivi). Nga Bulqiza erdhëm me makinë personale, nga ora 5 e ca. I kanë marrë analizat, asnjë lloj përgjigjeje. Vetëm i kanë dhënë një kokërr. Analizat ia kanë marrë edhe në mëngjes, edhe dje. As mua nuk më kanë bërë kontroll. Akoma nuk na e kanë dhënë se çfarë sëmundje ka", u shpreh ajo.

Po ashtu ajo ka treguar simptomat që ka shfaqur 40 vjeçari.

"Ka qenë në Itali dhe ka ardhur me datë 22 Shkurt. Për një javë ka pasur probleme me frymëmarrjen dhe kollitje. Temperatura i rrinte 37 e gjysmë, i shkonte dhe 39 e gjysmë dhe 38 e gjysmë. Kollitej shumë dhe bëhej ujë në djersë", ka treguar ajo.