Konsullja Shqiptare në Milano të Italisë, Anila Pojani, në një lidhje direkte për emisionin "Real Story" në "News 24" ka konfirmuar viktimën e parë shqiptare në Itali. Viktima quhet Qamile Shera dhe banonte në lagjen 10 në Durrës. Për shkak të gjendjes alarmante në vend ceremonia mortore është pezulluar.
“Kemi konstatuar se qytetarja nga Durrësi ka ndërruar jetë për shkak të një arresti kardiak dhe ka rezultuar pozitive me koronavirus. Dokumentacioni zonjës ka mbërritur sot në Konsullatë. Djali, vajza dhe bashkëshorti i të ndjerës janë të gjithë në karantinë. Ceremonia mortore është pezulluar, për shkak të situatës. Të gjithë viktimat janë në morget përkatëse. Ky virus u përhap shpejt dhe ishte i panjohur. Masat parandaluese këtu në Shqipëri u morën shumë shpejt, u pezulluan aktivitetet sportive, kulturore, u mbyllën muzetë, teatrot etj”, tha Pojani.
"BallkanWeb" ka mësuar se gruaja e kishte marrë virusin nga dhëndri i saj italian. Ajo vuante nga diabeti dhe ishte nisur për kurim në Itali.
