Kryeministri Rama në mbledhjen e sotme me task-forcën e shëndetësisë bëri me dije se institucionet arsimore do të mbyllen për një periudhë 2 javore dhe do të pezullohen fluturimet drejt Italisë Veriore dhe zonave të kuqe deri më 3 prill. Rama theksoi se është me rëndësi vetëkarantimi, kryesisht i atyre personave që vijnë nga zonat e prekura nga koronavirusi.
“Një tjetër element i rëndësishëm dhe duhet të merret në konsideratë, është vetëkarantinimi, pra vetëizolimi i personave që vijnë nga zonat e kuqe. Vetëkarantinimi është një element që gjendet edhe në ligjin tonë aktual, shoqërohet edhe me masë administrative për thyerjen e këtij rregulli. Por duhet të jemi realistë që çdo individ të kuptojë që ka një rol në këtë përballje dhe se për të ruajtur veten e të tjerët, është me rëndësi që të ndjekë procedurën e karantinimit. Konkretisht si pikë referimi ne kemi zonën përtej detit, në veriun e Italisë”.
Rama i bëri apel edhe mediave për të mos përhapur panik.
“Është një përgjegjësi e madhe e jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve, që mediat të vetëpërmbahen dhe të kenë edhe dijeni se në këtë situatë, armiku më kërcënues nuk është koronavirusi, por paniku. Paniku që stimulohet nga lajmet e rreme, nga ekzagjerime të paarsyeshme, nga burime dhe komente të paautorizuara, jo shkencore, jo profesionale. Besoj që nuk është e tepër të thuhet se në këtë moment duhet jemi aleatë".
Kryeministri i bëri apel edhe qytetarëve për qetësi: “Ju them të gjithë qytetarëve se faktet, që burojnë nga analiza dinamike në nivelin global e të gjitha zhvillimeve bazuar në shifra konkrete mes të prekurve, është se nuk është murtaja e mesjetës. Mos harroni se në vitin 2008-2009 ka pasur një epidemi, H1N1 që ka marrë gjysmë milioni njerëz në mbarë botën, që do të thotë se nuk jemi përballë diçkaje se ka gjësend tjetër, përçse një të panjohur që lidhet me faktin se bota nuk e ka sot një vaksinë ndaj këtij virusi. Por ama niveli i vdekshmërisë, prekjeve, tregon qartë që është një epidemi që mund dhe duhet ta përballojmë, si shumë vende të tjera, me qetësi, vetëpërmbajtje dhe arsye të fortë. Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj riskut, pa diskutim, nuk ka asnjë dallim shtrese, moshe, etj, po të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ku ky virus prek më rrezikshëm”.
Burimi: tvklan.al
