Nga Shqipëria / E Hënë 9 Mars 2020, 01:01

Koronavirus arrin në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë konfirmon dy rastet e para

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar dy rastet e para të infektuar nga COVID-19 në Shqipëri. Përmes një njoftimi, Ministria bën të ditur se pacientët janë babë e bir të cilët kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë. Sipas ministrisë, gjendja e dy të prekurve është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione.

Strukturat e urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet.

Njoftimi i Ministrisë: "Ministria e Shëndetësisë: Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri.

Gjendja e dy të prekurve babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione.
Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet.

MSHMS përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t'i përgjigjen çdo rasti.

MSHMS u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë rigorozisht rregullat e higjenës, sipas njoftimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që t'u referohen vetëm burimeve zyrtare për marrjen e informacionit. MSHMS do të vazhdojë të ofrojë informacione të përditshme mbi situatën dhe masat e marra"