Nga Shqipëria / E Shtunë 7 Mars 2020, 12:12

Frika nga Koronavirusi/ Rama nuk i jep dorën arkitektit italian

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim me të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit në Shijak, për të paraqitur projektin dhe shpjeguar nga afër të gjithë procesin e rindërtimit. Gjatë mbledhjes ai nuk i ka dha dorën njërit prej arkitektëve italianë sepse Italia është një ndër vendet e prekura nga Koronavirusi.

“S’të jap dorën se vjen nga Italia dhe si dihet kurrë”, tha kryeministri. Megjithatë ai më pas i zgjati dorën arkitektit.

“Mbase nuk dhashë shembull shumë pedagogjik me dhënien e dorës, por nga ana tjetër sinqerisht, jam jo fort i lumtur me këtë bombardim lajmesh ose me bombardimin që iu bëhet njerëzve për koronavirusin, që sigurisht është një problem, që përbën një shqetësim të madh për ne, për gjithë botën por ajo që është e sigurtë është që krahas epidemisë që ka të gjitha të panjohurat e veta, ka një epidemi të lajmeve të rreme, të komenteve pa asnjë bazë shkencore që rrit shumë panikun, ankthin dhe pasigurinë te njërëzit”, u shpreh Rama pas dhënies së dorës.

Ai shtoi se duhet të jemi shumë të kujdesshëm, shumë racional me kontaktet me njerëzit, prandaj dhe u shpreh që dhënia e dorës nuk ishte shumë pedagogjike, se nuk është çeshtje trimërie por thjesht çështje sigurie dhe kujdesi.