Dy nxënës janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për helmimin masiv që ndodhi të mërkurën në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier. Policia bën me dije se janë proceduar dy 15-vjeçarët A.M. dhe A.H.
Të dy këta nxënës hodhën në ambientet e brendshme të shkollës së mesme sprajt me lëndë gazi, shkaktuar helmimin e 58 nxënësve të tjerë dhe të 2 mësuesve.
Ata shfaqën probleme me frymëmarrjen dhe u dërguan me urgjencë në spital. Pas trajtimit mjekësor, gjendja e tyre u stabilizua dhe u larguan për në banesë.
Dy gjimnazistët akuzohen për veprat penale ndotje e ajrit dhe prishje e qetësisë publike.
Njoftimi i Policisë së Fierit:
Procedohen penalisht 2 nxënës të shkollës së mesme në Fier, të cilët dyshohen se kanë përdorur sprajt me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë Fier, zbardhën ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku si pasojë e përdorimit të një sprajti me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës, disa nxënës shfaqën shqetësime me frymëmarrjen dhe pasi morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal Fier, u larguan për në banesë.
Në përfundim të veprimeve hetimore rezultoi se sprajti ishte përdorur nga 2 nxënës të kësaj shkolle, konkretisht A. M., 15 vjeç dhe A. H., 15 vjeç, të cilët u proceduan penalisht.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Burimi: tvklan.al
