Ditën e sotme deputetja Rudina Hajdari, teksa fliste për të drejtat e grave, ka bërë një deklaratë të fortë në parlament. Ajo ka treguar se si shumë gra të tjera shqiptare, ka qenë viktimë e dhunës dhe jo e asaj psikologjike.

Hajdari bëri thirrje që duhet t'i vijë fundi dhunimit të grave dhe duhet të merren sa më parë masa.
“Një gjyqtare u vra në mes të rrugës si një kafshë, ky Parlament nuk bëri asgjë, në 2 muaj janë vrarë 7 gra. Kjo është një emergjencë kombëtare! Gratë sot nuk janë të mbrojtura, gra e vajza dhunohen çdo ditë. Më vjen keq që sot flas ende për gra e vajza që vriten çdo ditë në rrugët e Tiranës. Ju sot c’po bëni? Reklamoni se roli i grave po rritet, ndërkohë që ato po vriten. A e kuptoni sot se ne jemi të gjitha viktima të këtij Parlamenti. Për mua është problem i thellë. ". u shpreh fillimisht ajo.

Më pas deklaroi para të gjithëve se ajo vetë ka qenë dikur viktimë e dhunës. "Deklaroj para jush se edhe unë kam qënë pre dhe viktimë e dhunës. Nuk flas për dhunë psikologjike, jemi të gjithë viktima të këtij fenomeni edhe nëna ime kur jetonte në komunizëm edhe unë por fëmija im nuk duhet të jetë më viktimë e dhunës. Unë të paktën i mora forcat se jetova në një vend si Amerika ku më armatosi me të gjitha mjetet që unë të luftoj sot”, tha deputetja.




