Morena Colombi, 59 vjeç nga Trucazzano, Milano ishte prekur nga Koronavirusi dhe tani është shëndoshë e mirë. Ajo vendosi të flasë pas pneumonisë duke dhënë intervista në mediat italiane. Morena është shprehur se paniku dhe alarmi është më i madh se ç'duhet.
"Unë mendoj se një alarm kaq i madh nuk justifikohet, kjo histeri masive është e ekzagjeruar. Njerëzit duhet t’u thuhet se nëse e marrin koronavirusin do të mbijetojnë dhe do të shërohen”, është shprehur ajo.

Morena tregoi edhe si nisi gjithçka: “Rrufa nuk po kalonte dhe kisha një kollë të thatë që nuk ikte. Në atë moment mendova mos është virusi i frikshëm? Sepse për shkak të punës kam edhe shumë kontakte me Azinë”.
Morena thotë se strukturat sanitare në vend nuk ishin të përgatitura për t`i bërë ballë kësaj emergjence. “Nuk kishin dhoma të izoluara, në fillim fjeta në një barelë. Aq shumë isha lodhur sa kur më thanë që kisha koronavirusin, as nuk u tremba”, tha Morena.
