6 nxënës të shkollës së mesme 'Janaq Kilica' në Fier janë dërguar në spital pasi janë ndjerë keq në orën e mësimit.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 13:10, në lagjen “Kastriot”, ku në kabinetin e laboratorit, gjatë mësimit, 6 nxënës kanë pasur të kollitura dhe vështirësi në frymëmarrje.
Menjëherë nxënësit janë çuar për kontroll mjekësor në Spitalin Rajonal Fier dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Toksikologu Banushi thotë se nxënësit nuk kanë shenja të helmimit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht nuk dihet kush ka qenë shkaku i kësaj situate. Fillimisht u raportua se nxënësit janë helmuar nga rrjedhja e gazit të kaldajës, pastaj u dyshua për një reaksion kimik pasi po kryenin eksperimente në laborator.
Por Yllka Beci, drejtoresha e Zyrës Arsimore Fier thotë se në dy godina që jane institucion shkollor të 'Janaq Kilicës' nuk ka rrjedhje gazi, pasi s'ka kaldaja.
Ajo shton gjithashtu se në orën e biologjisë nuk ka pasur asnjë lloj lëndë kimike.
Në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor dhe po punohet për sqarimin e rrathanave dhe gjetjen e shkakut të kësaj ngjarje.
