"Report Tv" ka zbardhur detaje të reja nga krimi në familje që ndodhi mesditën e sotme në Durrës, ku burri ka vrarë gruan me levë hekuri. Ngjarja ndodhi në biznesin e çiftit, një dyqan metrazhesh.
Burime nga policia bëjnë të ditur se autori Ruzhdi Tosuni e ka njoftuar vetë policinë duke u thënë "ejani se kam vrarë gruan". Pyetjes së policisë së "ku ndodhej", autori i është përgjigjur duke thënë "para dyqanit po ju pres".
Kur ka shkuar policia ai i ka dorëzuar çelësat e qepenit dhe të dyqanit. Teksa e shoqëronin në polici dhe e pyetën se përse e vrave gruan, autori është shprehur se "ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava".
