Në korrik të vitit të kaluar tronditi mbarë opinionin publik një vrasje në Australi. Një baba shqiptar, Petrit Lekaj vrau vajzën e tij 20-vjeçare, Sabina. Deri më sot nuk dihej arsyeja e krimit, por "Daily mail" ka zbardhur detaje nga gjyqi i mbajtur së fundmi, ku janë zbuluar arsyet që e çuan Lekajn në këtë veprim.
Avokati i shqiptarit tha se ai nuk mund të shpjegonte veprimet e tij. Lekaj kishte marrë me vete një thikë 15 cm të gjatë dhe bashkë me vajzën po shkonin të blinin ushqime, kur mes tyre nisi grindja në makinë.
Babë e bijë u zunë për stilin e jetesës që kishte nisur të bënte vajza dhe dyshonte se e reja kishte nisur përdorimin e drogës.
Lekaj i kishte thënë vajzës “po e çon jetën dëm“, por ajo i ishte përgjigjur se “nuk i interesonte“.
Lekaj nxori thikën dhe e goditi në stomak të bijën ndërsa ajo po shikonte nga dritarja e makinës.
Vajza nisi të bërtiste për ndihmë ndërsa babai e goditi me thikë edhe shtatë herë të tjera, u tha në gjykatë. Pas vrasjes, Lekaj u gjet pranë vajzës së tij me plagë të rëndë në stomak. Ai u dërgua në Spitalin Royal Adelaide.
Avokati i Lekajt, Ben Sale tha se gjyqtari duhet të marrë parasysh që Lekaj menjëherë pranoi se kishte vrarë vajzën e tij.



