Nga Shqipëria / E Hënë 24 Shkurt 2020, 11:11

Shkolla private anulon mësimin! Ministria e Arsimit: ‘Do t’i heqim licensën’

Pasi Italia u përfshi nga shpërthimi i koronavirusit, shkolla private “Udha e Shkronjave” në Tiranë anuloi procesin mësimor.

“Ky vendim nuk duhet parë si reflektim i ndonjë informacioni konfidencial, por si pjesë e dyshimit tonë. Do të thotë që ne nuk kemi informacione më shumë se sa jepen në publik dhe sa dini ju, por marrim masa të natyrshme që prindërit të kenë kohë të marrin masa edhe më të forta në rast se është e nevojshme.” – shkruhej në njoftim.

Pas vendimit të shkollës, ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, reagoi duke theksuar se “shkollës do t’i hiqet licensa”.

“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën.

Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë.”