Nga Shqipëria / E Shtunë 22 Shkurt 2020, 08:08

Italia konfirmon viktimën e parë nga koronavirusi: Mbyllen shkollat, lokalet & institucionet publike

Në Padova të Italisë është shënuar viktima e parë nga koronavirusi. Bëhet fjalë për një 77-vjeçar i cili ka ndërrruar jetë dje në spitalin Schiavonia në Monselice. Referuar mediave italiane, thuhet se i moshuar qëndroi për 10 ditë në spital nën kujdesin e mjekëve, por s'ja doli.

Autoritetet në Italinë veriore kanë urdhëruar mbylljen e shkollave, restoranteve dhe institucioneve publike, pas një përhapjeje të mundshme të këtij virusi.

Vdekja e 77-vjeçarit, shënon viktimën e parë europian nga virusi që i ka marrë jetën deri më tani rreth 2350 njerëzve në të gjithë botën.

Në Itali janë konfirmuar rreth 17 njerëz të tjerë të infektuar nga koronavirusi. Të gjithë rastet janë lokalizuar në rajonin e Lombardisë, ku një 38-vjeçar është infektuar pasi ka takuar dikë që ishte kthyer nga Kina në fund të janarit. 5 doktorë dhe infermierë janë prekur pas tij nga koronavirusi gjatë kohës që 38-vjeçari kurohej në spital. Tre të infektuarit e tjerë thuhet se kanë qenë në të njëjtën kafene në Lombardi dhe më pas, kanë rezultuar pozitivë ndaj virusit.

Deri më tani, koronavirusi ka infektuar 77.000 njerëz në të gjithë botën, por Kina vendi i origjinës së virusit, mbetet më e prekura ku numri i viktimave ka mbërritur në 2345.