Enkeleda Kapedani, gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit ka paditur News Bomb.al, portal që zotërohet dhe drejtohet nga Anila Basha. Në dhjetor të 2019-ës, News Bomb ka publikuar një artikull pas lajmit se gjyqtarja Kapedani, liroi nga dënimi me burg një prej anëtarëve të botës së krimit, i cili kishte qenë i dënuar me 25 vite burg.

Përmes padisë, gjyqtarja pretendon se portali në fjalë i ka sjellë shqetësime të mëdha në familje për shkak të fotos së publikuar dhe tani kërkon 5 milion lekë si dëmshpërblim.
Fotoja në fjalë është kjo që shihni më lart dhe në kërkesën për padi, Kapedani shkruan:

"Që prej asaj dite, jeta ime nuk ka vazhduar më normalisht. Së pari më ka shkaktuar stres familjar pasi familjarët e mi vuajnë përgjegjësinë e vendimarrjeve të mia. Bashkëshorti dhe fëmijët e mi, identifikohen si personat e publikuar në një foto së bashku me një gjyqtare që kishte bërë të pabërën pasi kishte nxjerrë nga burgu të fortin e bandës së Gaxhait.
Deri para publikimit të fotos, unë isha person i panjohur në ambientin ku jetoj pasi askush nuk dinte se kush isha unë dhe çfarë pune bëja, Falë publikimit të fotos time private të vjedhur në profilin tim, tashmë më njeh i gjithë pallati, madje e gjithë lagjia."

Ndonëse në foto duket që gjyqtarja është e shoqëruar dhe në prani fëmijësh, fotot janë të sfumuara dhe nuk duken fytyrat e asnjërit prej tyre.
Enkeleda Kapedani, prej më shumë se 4 vitesh është gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit, por emri i saj u lakua më shumë në dhjetorin e 2019-ës, pasi i dha lirinë Viktor Ymeri, ish-i dënuar mbi të cilin rëndonin një sërë krimesh.
