Nga Shqipëria / E Mërkurë 19 Shkurt 2020, 17:05

Versioni real i ‘La vita è bella’: Babai mëson të bijën si të përballojë bombat duke qeshur

Në një video të postuar në rrjetet sociale, një baba sirian, Abdullah Mohammad, dhe vajza e tij tre-vjeçare, Salwa, shihen teksa qeshin me zhurmën e granatave në siri. Mohammad, i cili e transferoi familjen nga Idlib, qytet në Siri në rrethin Sarmanda, është përpjekur ta mbrojë vajzën nga traumat e bombave duke shpikur një lojë. Sa herë dëgjojnë shpërthime, ata duhet të qeshin.

“Babai po përpiqet të minimizojë traumën që mund të pësoja fëmija për shkak të luftës. Sa e trishtë,” shkruan dikush në koment në videon e postuar nga The Guardian. “Sa e trishtë dhe zemërthyese, aq edhe e adhurueshme,” shkruan një tjetër.

Situata është një version real i filmit “La vita è bella” (1997). Në “La vita è bella” (Life Is Beautiful), Roberto Benigni luan rolin e Guidos, një burri hebre në një kamp përqëndrimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty, ai përpiqet me çdo kusht të krijojë iluzionin se ndodhen tjetërkund, për të mos i shkaktuar trauma të birit.