Edhe pse kanë kaluar thuajse 15 vjet, kënga më e njohur e Ermal Fejzullahut mbetet “Për një dashuri.” Ermali imcak me flokët me xhel shkrihet pas një dashurie të humbur. Ajo është e dikujt tjetër, e ai vuan pse iu fal aq lehtësisht. Totalisht Shekspiriane. Kur kënga mori pjesë në Top Fest 2, me të drejtë ishte konkurrente e denjë për çmimin e parë.
“Për një dashuri” dëgjohet ende, duke qenë se hyn në grupimin e atyre këngëve jo dhe aq të vjetra që të kthejnë pas në kohë. Të bën nostalgjik, do apo s’do.
Pikërisht ngaqë të bën nostalgjik, Ermal Fejzullahu bashkëpunoi me Butrint Imerin për ta rikthyer këngën në një version të kohës. Ndoshta s’duhet të çuditemi, por ishte zhgënjyese.
S’ka asgjë të re, thjesht autotune me bollëk. Fytyra e Butrintit na kujton historinë e tmerrshme të një ngacmimi seksual. Fytyra e Ermalit na kujton se e gjithë kjo u bë për të shfrytëzuar nostalgjinë e fansave dhe për të fituar ca më shumë.
Mëkat. “Për një dashuri” dëgjohet dhe adhurohet ende. Vërtet s’ishte nevoja për një “rikthim.” Është në YouTube, s’iku kurrë.
