Nga Shqipëria / E Shtunë 15 Shkurt 2020, 11:11

Facebook mund të paguajë edhe më shumë taksa në Europë

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih (14 -16 shkurt), ku është takuar edhe me kryeministrin Rama, Zuckerberg do të sqarojë në fjalimin e tij që pritet të mbahet sot (e shtunë, 15 shkurt) se kompani si Facebook dhe Google duhet të krijojnë një regjim të ri global taksash.

Kryeministri Rama shkroi në rrjete sociale “Me Mark Zuckerberg, krijuesin e Facebook, gjatë një darke miqsh të posaçëm, mbledhur në Mynih për Konferencën e Sigurisë.”

Themeluesi i Facebook nuk ka folur ende për këtë ide, por një pjesë e fjalimit është zbardhur nga Politico.com – kompani amerikane me përmbajtje politike me bazë në Virginia.

Franca dhe Austria kanë miratuar rregulla kombëtare për taksimin e gjigantëve dixhitalë, kryesisht të kompanive amerikane. Edhe Parisi nisi një praktikë të tillë, por e anulloi pas presionit të Uashingtonit.

Kjo nismë e kompanive të mëdha vjen nga fakti se grumbullojnë shumë të ardhura edhe jashtë SHBA-së. Nuk dihet ende se si do të procedohet në vijim dhe çfarë kriteresh duhen plotësuar nga shtetet përkatëse.