Një ditë ma parë, Gazeta Si raportoi se Oriola Marashi u ndalua nga policia pasi iu gjetën dy qese farmaceutike me cannabis sativa. Sipas raportimit, modelja u ndalua në Tiranë dhe u shpreh se “i kishte për përdorim vetjak dhe është përdoruese prej rreth një viti”.
BalkanWeb siguroi njoftimin e policisë, ku konfirmohet ndalimi në datën 8 shkurt, megjithëse është i dyshimtë fakti që në deklaratën e policisë, thuhet se “është ndaluar shtetasja Arjola Marashi”. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një lapsus, ose kemi të bëjmë me një personë tjerër.
E ëma e Oriolës, Xhoi Jakaj, u shpreh për Gazeta Shqiptare:
“Është një trillim i shëmtuar, nuk ka asgjë të vërtetë. Oriola nuk është ndaluar as mbrëmë as kurrë nga policia. Ajo prej disa ditësh gjendet në Vjenë ku është e angazhuar me projekte të reja në fushën e modelingut. Gjithçka është një shpifje për ta dëmtuar. Këto lajme kemi vendosur t’i ndjekim penalisht. Do të ketë një padi për cilindo që ka publikuar këtë lajm krejtësisht të pavërtetë”.
Sipas ligjit, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur dozat janë për përdorim vetjak, quhet kundravajtje administrative, jo penale dhe nuk dënohet me burg.
