Nëse jeni sadopak të dhënë pas filmave, duhet të keni dëgjuar mjaftueshëm për “Parasite” sa jeni dorëzuar dhe e keni parë. Nëse jo, na vjen keq, por nuk ju themi dot asgjë për fabulën sepse e zhbën gjithë misionin e filmit.
Gjithsesi, nëse jeni një nga grupet përmidis, që diç dini, diç s’dini, ju njoftojmë me kënaqësinë më të madhe se “Parasite” sapo fitoi një Oscar për Skenarin më të mirë origjinal.
Që kur u përmend ndër të nominuarit (Marriage Story, Knives Out, One Upon a Time in Hollywood, 1917), salla shpërtheu në brohorima, në sy u lexohej njëfarë shprese. Gjithçka u intensifikua kur Keanu Reeves dhe Diane Keaton shpallën “Parasite” si skenarin më të mirë origjinal. Thuajse të gjithë u ngritën në këmbë, duartrokitje, brohoritje, ndoshta shpërthyen letra me ngjyrë. Të paktën ajo ndjesi u përcoll.
“Parasite” është aq film i mirë sa edhe ata që konkurronin kundër tij, kemi përshtypjen nuk donin të fitonin.
