Nga Shqipëria / E Shtunë 8 Shkurt 2020, 07:07

Në nder të ikonës Nexhmije Pagarusha: Sot, në lokalet e Prishtinës dëgjohet muzika e saj!

Sot, (e shtunë, 8 shkurt) do t'i jepet lamtumira e fundit ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushës. Pagarusha do të prehet në fshatin e saj, në Pagarushë të Malishevës dhe sipas familjarëve, amaneti i yllit të këngës ka qenë të përcillet përmes një ceremonie të qetë, vetëm me praninë e familjarëve të ngushtë.

Në shenjë nderimi, sot, në të gjitha lokalet e Prishtinës do të vendoset në të njëjtën kohë muzika e legjendës së ndjerë.

“Artistët jetojnë për të krijuar dhe madhështia e veprave të tyre matet përmes rrezes që përçon arti që ata i dedikojnë jetën. Prandaj amshimi i artistëve nuk është vdekje, meqë krijimtaria ua siguron përjetësinë tokësore që mundësohet nga kultivimi i përhershëm i artit të tyre. Nexhmije Pagarusha është një krijuese e kësaj përmase dhe konsumimi i vazhdueshëm i artit të saj do t’ia sigurojë përjetësinë.

Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njëjtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona!"-  thuhet në njoftimin e Shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës.

Pagarusha u nda nga jeta 86-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. "Bilbili i Kosovës" la pas një krijmtari të çmuar dhe një jetë të jashtëzakonshme!