Nga Shqipëria / E Martë 4 Shkurt 2020, 11:11

Si t’ia thuash partnerit që ke ngelur shtatzënë pa dashje

Shiko, gjysma e shtatzënive në botë janë të paplanifikuara. Ti nuk je as e para dhe as e fundit që gjendet në këtë situatë të vështirë. Si gra, jemi të dënuara ta marrim vesh lajmin para partnerëve tanë. Pra, mbartim mbi supe dhe peshën e bisedës serioze që duhet bërë.

Me siguri gjendeni në një situatë të sikletshme. Jeni bashkë, por s’jeni fejuar. Ndoshta doni fëmijë, por ndoshta jo tani. Dhe më e rëndësishmja, a doni fëmijë bashkë? Ti nuk e di ç’mendon partneri jot dhe si rrjedhim, vetë gjendesh e dyjëzuar për veprimin e radhës. Sidoqoftë, diçka është e qartë: asgjë s’do të jetë më njësoj pas përgjigjjes së partnerit tënd dhe asgjë s’do të jetë më e njëjta nëse vendos të bëhesh nënë.

E mira e të mirave, është t’i tregosh menjëherë. Kjo është një periudhe stresante dhe për ty, kështu që s’ke pse e kalon e vetme. Tregohu e sinqertë dhe ki besim te njeriu që ke në krah.

Si fillim, flisni në një vend privat, si për shembull në shtëpi. Nise bisedën duke listuar pikat e forta të marrëdhënies suaj dhe më pas thuaji që je shtatzënë. E ke ndarë ose jo mendjen për veprimin e radhës, tregoja partnerit. Nëse shtatzënia s’është konfirmuar ende tek mjeku, shko bashkë me të. Shto që i jeni futur kësaj rruge bashkë dhe e vlerëson shumë mbështetjen e tij.

Sigurisht, reagimi i tij është i papritur. Mund të hidhet përpjetë nga gëzimi, mund të nevrikoset ose mund të mos flasë fare. I tremb e ardhmja që sjell një fëmijë në lidhje me karrierën, buxhetin, jetën private, lidhjen. Kujdesu që të mos i marrësh personale gjërat që ai do të thotë gjatë këtij diskutimi. Mund të reagojë keq thjesht për të nxjerrë frikërat dhe pasiguritë.

Për disa çifte, një shtatzëni e papritur është zjarri që rindezi pasionin e tyre. Për të tjerë, aborti ishte zgjedhja e qartë. Cilado qoftë rruga që ndiqni, nuk do të jetë e thjeshtë.

Në fund të fundit, e rëndësishme është që të flisni, të jeni të hapur ndaj mundësive dhe të vendosni bashkë ç’është më e mira. Të gjitha nisin me ty që del nga banja dhe i tregon testin.