Nga Shqipëria / E Premte 31 Janar 2020, 15:03

E bija e Xhevdet Ferrit për të atin: ‘Do të më mungosh, derisa të takohemi’

Bora Ferri, vajza e Xhevdet Ferrit, i kushtoi të atit të ndjerë një postim prekës, me mbishkrimin “më mungon babi”.

Në foto, shkruhet:

“Lamtumirat nuk janë përgjithmonë. Lamtumirat nuk janë fundi. Ato nënkuptojnë vetëm se do të më mungosh, derisa të takohemi sërish.”

Pak pasi u nda nga jeta, Bora postoi në Instagram një tjetër dedikim të shkurtër, por domethënës. Nën një foto me të atin, ajo shkroi “O captain, my captain,” rreshti hapës i poemës elegji që Whalt Whitman kompozoi shkurtimisht pas vdekjes së presidentit amerikan, Abraham Lincoln.

Xhevdet Ferri, ikonë e kinematografisë shqiptare, ndërroi jetë në 16 janar si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme pulmonare. Aktori u përcoll në banesën e fundit pa bujë dhe homazhe, sepse kështu kishte kërkuar dhe Bora së bashku me nënën e saj, aktoren Rozeta Ferrin, respektuan dëshirën e tij.

Mjeshtri i Madh i filmit ishte një nga ikonat e kinematografisë shqiptare në vitet ’80-’90 me dhjetra role protagoniste. Si disa nga filmat më të njohur përmendim “Gjurmë në kaltërsi”, “Hije që mbetën pas”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara” etj.